1 "Jam neveritur nga jeta ime; do të shfryj lirisht vajtimin tim, duke folur në trishtimin e shpirtit tim!
2 Do t'i them Perëndisë: "Mos më dëno! Bëmë të ditur pse grindesh me mua.
3 A të duket mirë të shtypësh, të përçmosh veprën e duarve të tua dhe të tregohesh në favor të qëllimeve të njerëzve të këqij?
4 A ke sy prej mishi, apo shikon edhe ti si shikon njeriu?
5 A janë vallë ditët e tua si ditët e një të vdekshmi, vitet e tua si ditët e një njeriu,
6 sepse ti duhet të hetosh lidhur me fajin tim dhe të kërkosh mëkatin tim,
7 megjithëse e di që nuk jam fajtor dhe që nuk ka njeri që mund të më çlirojë nga dora jote?
8 Duart e tua më kanë bërë dhe më kanë dhënë trajtë por tani ti kërkon të më zhdukësh.
9 Mbaj mend, të lutem, që më ke modeluar si argjila, dhe do të më bësh të kthehem në pluhur!
10 A nuk më ke derdhur vallë si qumështi dhe më ke piksur si djathi?
11 Ti më ke veshur me lëkurë dhe me mish, më ke thurur me kocka dhe me nerva.
12 Më ke dhënë jetë dhe dashamirësi, dhe providenca jote është kujdesur për frymën time,
13 por këto gjëra i fshihje në zemrën tënde; tani unë e di që ti mendoje një gjë të tillë.
14 Në qoftë se mëkatoj, ti më ndjek me sy dhe nuk më lë të pandëshkuar për fajin tim.
15 Në qoftë se jam i keq, mjerë unë! Edhe sikur të jem i drejtë, nuk do të guxoja të ngrija kokën, i ngopur siç jam nga poshtërsia dhe duke parë mjerimin tim.
16 Në rast se ngre kryet, ti më ndjek si luani, duke kryer përsëri mrekulli kundër meje.
17 Ti i përtërin dëshmitarët kundër meje, e shton zemërimin tënd kundër meje dhe trupa gjithnjë të reja më sulmojnë.
18 Pse, pra, më nxore nga barku? Të kisha vdekur, pa më parë sy njeriu!
19 Do të kisha qenë sikur të mos kisha ekzistuar kurrë, i mbartur nga barku në varr.
20 A nuk janë vallë të pakta ditët e mia? Jepi fund, pra, lërmë të qetë që të mund ta mbledh pak veten;
21 para se të shkoj për të mos u kthyer më, drejt vendit të errësirës dhe të hijes së vdekjes,
22 të vendit të territ dhe të errësirës së madhe të hijes së vdekjes, ku ka vetëm pështjellim, ku madje edhe drita është si errësira". |