1 Në kohën e Davidit pati zi buke për tre vjet me radhë; Davidi kërkoi fytyrën e Zotit dhe Zoti i tha: "Kjo ndodh për shkak të Saulit dhe të shtëpisë së tij gjakatare, sepse ai i ka bërë të vdesin Gabaonitët".
2 Atëherë mbreti thirri Gabaonitët dhe u foli atyre. (Gabaonitët nuk u përkisnin bijve të Izraelit, por ishin mbeturina të Amorejve; bijtë e Izraelit ishin betuar se do t'i kursenin, por Sauli, në zellin e tij të madh për bijtë e Izraelit dhe të Judës, ishte orvatur t'i shfaroste).
3 Atherë Davidi u tha Gabaonitëve: "Çfarë duhet të bëj për ju dhe në ç'mënyrë duhet të veproj për të ndrequr gabimin e bërë, me qëllim që ju të bekoni trashëgiminë e Zotit?".
4 Gabaonitët u përgjigjën: "Ne nuk na intereson të kemi ar apo argjend nga Sauli apo nga shtëpia e tij, as duhet të vrisni për ne ndonjë njeri në Izrael". Mbreti tha: "Atë që kërkoni, unë do ta bëj për ju".
5 Ata iu përgjigjën mbretit: "Për njeriun që na ka konsumuar dhe që ka menduar të na shfarosë për të na zhdukur nga tërë territori i Izraelit,
6 të na dorëzohen shtatë burra nga trashëgimtarët e tij dhe ne do t'i varim përpara Zotit në Gibeah të Saulit, që është i zgjedhuri i Zotit". Mbreti tha: "Do t'jua dorëzoj".
7 Mbreti e kurseu Mefoboshethin, birin e Jonatanit, bir të Saulit, për shkak të betimit të Zotit që ekzistonte midis tyre, midis Davidit dhe Jonathanit, birit të Saulit.
8 Por mbreti mori dy bijtë që Ritspah, bija e Ajahut, i kishte lindur Saulit, Armonin dhe Mefibeshethin, dhe pesë bijtë që Mikal, e bija e Saulit, i kishte lindur Adrielit nga Mehola, birit të Barzilait,
9 dhe ua dorëzoi Gabaonitëve, që i varën në mal, përpara Zotit. Kështu u vranë në ditët e para të korrjeve, kur filloi korrja e elbit.
10 Ritspah, e bija e Ajahut, mori një mbulesë të ashpër dhe e shtriu mbi shkëmb, duke qendruar aty nga fillimi i korrjes deri sa mbi ta ra shi nga qielli. Ajo nuk i lejoi shpendët e qiellit të zbrisnin
11 Kur i treguan Davidit atë që kishte bërë Ritspah, bija e Ajahut, konkubinë e Saulit,
12 Davidi shkoi të marrë eshtrat e Saulit dhe ato të Jonathanit, birit të tij, nga banorët e Jabeshit të Galaadit, që i kishin marrë me vete nga sheshi i Beth-Shanit, ku Filistejt i kishin varur kur kishin mundur Saulin në Gilboa.
13 Ai solli që andej eshtrat e Saulit dhe ato të birit të tij, Jonatanit, dhe u mblodhën edhe eshtrat e atyre që ishin varur.
14 Eshtrat e Saulit dhe të Jonatanit, birit të tij, u varrosën në vendin e Beniaminit, në Tselah, në varret e Kishit, atit të Saulit. Kështu bënë të gjitha ato që mbreti kishte urdhëruar. Pas kësaj Perëndia dëgjoi lutjen që u bë për vendin.
15 Filistejtë i shpallën përsëri luftë Izraelit dhe Davidi zbriti me gjithë shërbëtorët e tij për të luftuar kundër Filistejve; dhe Davidi u lodh;
16 Ishbi-Benobi, një nga pasardhësit e gjigantëve që kishte një shtizë që peshonte treqind sikla bronzi dhe mbante në brez një shpatë të re, kishte ndër mend të vriste Davidin;
17 por Abishai, bir i Tserujahut, shkoi në ndihmë të mbretit, goditi Filisteun dhe e vrau. Atëherë njerëzit e Davidit u betuan: "Ti nuk do të dalësh më me ne për të luftuar dhe nuk do ta shuash llambën e Izraelit".
18 Pas kësaj u bë një betejë tjetër me Filistejtë në Gob; atëherë Hushathiti Sibekai vrau Safin, një nga pasardhësit e gjigantëve.
19 U bë një betejë tjetër me Filistejtë në Gob; dhe Elhanani, bir i Jaare-Oregimit nga Betlemi, vrau vëllanë e Goliathit nga Gathi; shkopi i shtizës së tij ishte shuli i vegjës së endësit.
20 U bë një betejë tjetër në Gath, ku ishte një njeri me shtat të lartë, i cili kishte gjashtë gishtërinj në çdo dorë dhe gjashtë gishtërinj në çdo këmbë, gjithsej njëzet e katër gishtërinj; edhe ai ishte një pasardhës i gjigantëve.
21 Ai e fyu Izraelin, por Jonathani, bir i Shimeahut, vëlla i Davidit, e vrau.
22 Këta të katër ishin pasardhësit e gjigantëve në Gath. Ata u vranë nga dora e Davidit dhe e shërbëtorëve të tij. |